Prapavija e Milanit ka nevojë për prurje dhe bordi drejtues thuhet po punon në veçanti për tre emra që mund të jenë të përshtatshëm për Milanin në merkaton e ardhshëm të dimrit.
I pari është ai i Loid Kelit. 25-vjeçarit i skadon kontrata me Bërnmëthin në qershor, por mund të vishet kuqezi që në janar për më pak se 5 milionë euro. Qendërmbrojtësi është monitoruar edhe nga Juvja, ndaj drejtuesit e “djallit” duhet të nxitojnë.
Preferenca në rritje raporton “SKY” edhe për Radu Dragushinin, por Xhenoa nuk e lëshon për më pak se 25 milionë euro. Shifra e lartë shtyn kuqezinjtë të testojnë pista të tjera ndër të cilat është edhe ajo që çon te Fin van Bremen. 20-vjeçari i Bazelit për çështje moshe dhe çmimi ka preferencën e drejtuesve të cilët i mëshojnë më shumë talentit se sa kampionëve të afirmuar.
VIJA E PARË – Çfarë do të ndodhë më pas në janar mbetet për t’u parë, por është e vërtetë që Milani ka nevoja edhe në sulm ku Zhiru është 37-vjeç dhe Leao shënon pak.
Joviç, Çukvueze e ndonjë tjetër nuk po japin atë që pritej në aspektin e golave, ndaj drejtuesit kërkojnë një sulmues.
Objektivi kryesor mbetet Xhonatan Davidi që me Lilën po zhgënjen e megjithatë klubi i tij nuk e lëshon për më pak se 40 milionë euro pavarësisht se ka edhe një vit kontratë. Rezultatet e kësaj pjese të fundit të 2023-shit do të jetë vendimtare për Milanin që të vendosë, sidomos nëse do të jetë ende në garë për titullin dhe i kualifikuar përtej fazës së grupeve.
Një tjetër gjë do të ishte ta përballonim vitin e ri me sezonin tashmë të komprometuar. Pista të tjera janë ato që çojnë te Serhu Girasi i Shtutgartit. Ai ka një klauzolë 15 milionë euroshe dhe duket më i orientuar për t’u transferuar në Angli që në janar.
Ndërkohë, sipas “Corriere dello Sport”, kuqezinjtë po ndjekin me interes edhe gjigantin e Monpeliesë Akor Adams. 192 centimetra i gjatë, ai ka shënuar shtatë gola deri tani në kampionatin francez të cilin mund ta lërë për një shumë të përafërt 10 milionë eurove.