Një ngjarje e papritur ka ndodhur sot në Itali, ku autoritetet e Guardia Di Finanza kanë vendosur sekuestrimin e plotë të aksioneve dhe aseteve të klubit të Veronës, që militon në Serinë A.
Sekuestrimi ka ardhur pas nisjes së një hetimi për aktivitetin e presidentit Mauricio Seti, i cili akuzohet për faliment me qëllim. Sektori i policisë ekonomiko-financiare, ka vendosur me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës të kryejë sekuestrimin preventiv, pasi është pjesë e hetimit rreth falimentimit të një kompanie e cila rezultonte kishte në pronësi të plotë aksionet e klubit.
Si klubi, ashtu edhe shoqëria në fjalë për të cilën bëhen hetimet janë në pronësi të Mauricio Setit, presidenti i skuadrës italiane dhe në teori, mendohet se ai ka bërë evazion fiskal duke kaluar kuotat nga një kompani në tjetrën teksa shpallte falimentimet e tyre për të shmangur taksa dhe anashkaluar edhe rregulloret financiare. Për momentin, të gjitha kuotat kontrolluese të klubit i janë besuar një biznesmeni italian, Stefano Reverberi.