Interi triumfoi 2-3 në “Borussia Park” përballë Borussia Monchengladbach dhe ringjalli shpresat për kualifikimin në fazën e 1/8-ave, të cilin do ta luajë në sfidën e fundit ndaj Shakhtar Donetsk, por natyrisht me sy e veshë nga Madridi.
Me vetëm dy pikë në 4 ndeshjet e para, zikaltrit ishin thuajse të eliminuar, por shpresat u ndezën në Ukrainë dy orë më parë, ku Reali humbi 2-0 ndaj Shakhtar Donetsk dhe bëri që llogaritë e grupit të ndryshojnë tërësisht.
Interi e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe pas 2-3 zbritjesh të rrezikshme, ishte mbrojtësi Matteo Darmian që shënoi golin e avantazhit, ndërsa më pas Lautaro dy herë dhe Lukaku e Barella shpërdoruan mundësitë për të dyfishuar shifrat.
Edhe vendasit u kundërpërgjigjën mirë dhe pas 2-3 tentativash të ndalura nga Handanovic, rikthyen baraspeshën në shtesën e pjesës së parë, kur Plea u lirua bukur në zonë dhe gjuajti, duke dërguar sferën në rrjetë.
Pjesa e dytë nisi mjaft mirë për Borussian, që i shkoi disa herë pranë golit të avantazhit, por nuk ia doli. Në minutën e 62-të ishte Marselo Brozovic që asistoi për Lukakun, i cili hyri mirë në zonë dhe lëshoi një diagonal të hidhur, duke e dërguar topin në rrjetën e portierit zviceran Sommer.
Vetëm 10 minuta më vonë ishte sërish sulmuesi belg që shënoi edhe golin e tretë për zikaltrit, pas një aksioni të nisur nga këmbët e Alexis Sanchez dhe të vijuar nga Hakimi, që shërbeu saktë për Lukakun në zonë.
Por kur dukej se përfundoi gjithçka, Alexis Sanchez gaboi një top në gjysmëfushën zikaltër dhe nga kjo përfitoi Thuram, që nisi menjëherë në zonë Plea, me këtë të fundit që gjuajti saktë dhe shënoi, duke rihapur ndeshjen.
Menjëherë më pas ishte sërish Sanchez protagonist, pasi depërtoi në zonën gjermane dhe shërbeu në zonë, ndërsa topi shkoi me fat te Ashley Young, por anglezi gaboi fatalisht, duke mos e shtyrë dot në rrjetë ndonëse me portën e boshatisur.
Momenti më i rëndësishëm i ndeshjes ishte në minutën e 83-të, kur Plea shënoi golin e barazimit, por pas rishikimit të aksionit në VAR, arbitri holandez vuri re një pozicion jashtë loje milimetrik dhe anuloi golin, duke lënë në fuqi avantazhin e Interit, që ia doli ta mbrojë deri në fund dhe të marrë një fitore tërësisht të merituar.
Tani zikaltrit duhet të fitojnë ndeshjen e fundit ndaj Shakhtar Donetsk dhe të shpresojnë që Reali i Madridit dhe Borussia Monchengladbach të mos përfundojë në barazim, pasi ky është rezultati i vetëm që i lë jashtë 1/8-ave.
Atletico e Madridit nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 ndaj Bayernit të Mynihut dhe shtyu kualifikimin për në ndeshjen e fundit, të cilën do ta luajë në Austri ndaj Salzburgut. “Los Colchoneros” kaluan të parët në avantazh me anë të Joao Felix, ndërsa Bayern riktheu baraspeshën 5 minuta para fundit, me anë të Thomas Muller që ekzekutoi saktë një penallti.
Atalanta nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj danezëve të Midtjylland dhe ashtu siç pritej, shtyu kualifikimin për në ndeshjen e fundit, ku do të udhëtojë drejt Holandës me dy rezultate në xhep, pasi vetëm humbja ndaj Ajax do ta lërë jashtë fazës së 1/8-ave.
Nga ana tjetër siguroi kualifikimin si e para e grupit skuadra e Liverpoolit, që fitoi minimalisht 1-0 ndaj Ajaxit dhe shkoi në kuotën e 12 pikëve. Dy 19-vjeçarë ishin protagonist për “The Reds”, pasi mbrojtësi i djathtë Neco Williams asistoi për Curtis Jones, i cili shënoi golin me vlerë 3-pikëshe.
Porto dhe Manchester City u ndanë në barazim pa gola, rezultat ky që u mjaftoi që të kualifikohen të dyja, me anglezët si vendi i parë dhe portugezët si vendi i dytë, ndërsa Marseille mori fitoren e parë dhe ndezi shpresat për një vend në Europa League.