Inter është me një dorë te titulli, ndërsa drejtori i Neroaxurëve Beppe Marotta ka filluar të punojë për përforcimet e merkatos së verës.
Neroaxurët do të përballen sot me Crotonen në transfertë dhe në rast fitoreje do të presin rezultatin e ndeshjes së nesërme mes Atalantas dhe Sassuolos, për të siguruar matematikisht titullin.
Mediat italiane raportojnë se Beppe Marotta ka filluar të punojë për skuadrën e sezonit të ardhshëm dhe kanë zbuluar emrat e lojtarëve që janë në shënjestrën e Neroaxurëve.
Objektivi kryesorë për merkaton e verës është transferimi i Rodrigo De Paul. Udinese kërkon 40 milionë euro për ta lënë të lirë, ndërsa Inter synon huazimin e argjentinasit me obligim blerjeje në disa këste.
Objektivi i dytë është futbollisti i Chelsea, Emerson Palmieri, i cili është i lidhur për një kohë të gjatë me një transferim në Milano.
Përforcimi i tretë do të jetë Nikola Maksimovic nga Napoli me parametra zero. Agjenti shqiptar, Fali Ramadani ka nisur bisedimet me Neroaxurët dhe mbrojtësi serb sipas të gjitha gjasave do ta vazhdojë karrierën në Milano.
Por nuk mbaron me kaq, përforcimi i katërt i Interit për sezonin e ardhshëm do të jetë Luka Jovic. Conte ka nevojë për alternativa në sulm dhe Neroaxurët synojnë huazimin e sulmuesit 23-vjeç me opsion blerjeje.