Milan në krizë totale, Rosonerët mposhten nga Lazio, Championsi në pikëpyetje

Lazio ka shkatërruar Milanin me shifrat 3-0, duke i dhënë një shuplakë të rëndë kuqezinjve në garën për zonën Champions.

Fitorja e lacialëve e zbret Milanin në vendin e pestë tashmë, edhe pse me barazim pikësh me Napolin dhe Juventusin.

Sfida e sotme nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Lazion, që shënoi pas vetëm 78 sekondash. Joaquin Correa finalizoi një kundërsulm perfekt, duke shmangur Donnarummën dhe duke ndalur topin në rrjetë.

Milani u mundua të reagonte, por humbi shumë raste para portës me Mandzukic dhe Calhanoglu. Në fundin e pjesës së parë, Lazzari shënoi golin e dytë për Lazion, por sistemi VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë muzika ishte e njëjtë, pasi Lazio shënoi golin e dytë në minutën e 51’. Joaquin Correa shënoi golin e dytë, por mes shumë polemikave. Calhanoglu protestoi për një faull nga Lucas Leiva në nisjen e aksionit, por gjyqtari Orsato e cilësoi si të rregullt edhe pas konsultimit me sistemin VAR.

Milan u mundua përsëri të reagonte dhe me zëvendësimet e bëra, por Lazio gjeti edhe golin e tretë. Ciro Immobile i dha goditjen finale kuqezinjve, pasi në minutën e 87’ shënoi golin që mbylli gjithçka në 3-0. Kështu, Lazio futet në garën për Champions, pasi ngjitet në kuotën e 61 pikëve, me një ndeshje më pak. Milan nga ana tjetër merr humbjen e dytë radhazi dhe duket në krizë totale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here