Derbi mbyllet pa fitues, Barcelona dhe Atletico ndahen në paqe

Nuk ka fitues në sfidën direkte për titullin kampion në Spanjë, pasi Barcelona nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola në “Camp Nou” ndaj Atleticos së Madridit, duke mos ia dalë që të parakalojë Los Colchoneros dhe të marrë kryesimin.

Një rezultat mjaft i mirë për Atleticon, por mbi të gjitha për Realin e Madridit, që ka një mundësi të artë të marrë kryesimin tre javë para fundit, nëse ia del të fitojë ndeshjen e saj nesër ndaj Sevillas.

Pjesa e parë nisi vrullshëm për Atleticon e Simeones, që i shkoi pranë golit që në minutën e 19’ me anë të Correas, por goditja e tij u prit bukur nga ter Stegen. Portieri gjerman u bë sërish protagonist në minutën e 34-t, duke bërë një pritje të bukur ndaj Llorentes dhe një tjetër spektakolare ndaj carrascos në të 37-ën.

Barça u zgjua ne Lionel Messin, që bëri një depërtim fantastik, duke dribluar disa kundërshtarë në minutën e 41-të dhe duke lëshuar një goditje mjaft të bukur nga jashtë zone, por Oblak u zgjat bukur dhe grushtoi topin në këndore.

Pjesa e dytë ishte mjaft e mirë për katalanët, që kërcënuan fillimisht me një goditje dënimi të ekzekutuar mirë nga Messi dhe shënuan edhe gol me Araujon, por anësori ndali gjithçka, duke akorduar një pozicion jashtë loje.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, që i shkon më shumë përshtat Atleticos së Madridit, pasi “los colchoneros” ruajnë kryesimin me 77 pikë, dy më tepër se katalanët, kur kanë mbetur edhe 3 javë deri në fund.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here