Nga “Maracana” në “Wembley”. Dy finale të mëdha njëra pas tjetrës. Argjentina fitoi “Copa America” pas 28 vitesh, Italia u kthye në majën e Europës pas 53 vitesh.
Fitorja e bluve të Mancini dhe e të besuarve të Scaloni bëri që dy kontinentet dhe miliona tifozë të gëzohen kësaj vere. Jo rastësi, sepse filli blu që lidh Italinë dhe Argjentinën ka një emër dhe mbiemër: Diego Armando Maradona.
Në orët e fundit, nga Argjentina ka mbërritur një propozim, që bëhet publik nga gazeta “Olé”: të luhet një ndeshje miqësore midis Italisë dhe Argjentinës (njëlloj Superkupe mes dy kontinenteve) për nder të “Pibe de Oro”, i cili vdiq më 25 nëntor 2020. Në nëntor 2022 nuk do të luhet Kupa e Konfederatave, sepse është momenti për Botërorin e Katarit, por së pari janë sfidat kualifikuese.
Kalendari i ngjeshur nuk ndihmon për të gjetur një datë të dobishme për sfidën e madhe, por ideja është lançuar. Ku do të luhet “Superkupa Maradona”? Ekzistojnë dy mundësi: në “Diego Armando Maradona”, stadiumin e La Paternal, ose në “Diego Armando Maradona”, stadiumin e Napolit.