Mesfushori. Fantazisti. Janë këto nevojat kryesore të Piolit për të kompletuar organikën, teksa Florenzi është në prag zbarkimi duke qenë se akordet janë gjetur tashmë.
Në orët e fundit të merkatos, në axhendën e Maldinit është shtuar edhe një profil. Këtë herë bëhet fjalë për sulmues dhe duhet të jetë pyka e tretë.
Nevojitet një lojtar me moshë të re, ndaj plani është huazimi i Pietro Pellegrit nga Monaco. Pistë e ndërlikuar, sepse 20-vjeçarit i skadon kontrata pas një viti dhe fillimisht duhet të rinovojë me francezët e më pas të transferohet.
Rosonerët synojnë huazimin me të drejtë blerjeje, por vështirë që në Principatë të bëjnë ulje për një lojtar që vetëm tri vite më parë e blenë 30 milionë euro për ta marrë nga Genoa. Sigurisht, dëmtimet e shpeshta ia kanë ngadalësuar rritjen sulmuesit që vitin e kaluar grumbulloi 18 prezenca e vetëm një gol të shënuar.
TIPARET – I shpejtë, i aftë me kokë dhe i papërmbajtshëm fizikisht, Pellegri është një sulmues tipik me karakteristika moderne.
I lindur në 2001, vepron si një sulmues qendre dhe është i zoti kur i duhet të luajë me shpinë nga porta, por në të njëjtën kohë di të dallojë çastin e duhur për të sulmuar thellësinë. Menaxhimi i mirë i topit dhe struktura e rëndësishme fizike i garantojnë lojtarit një cilësi të mirë, edhe pse është i gjatë 188 cm.