Goditje nga Premier League për Milan-in, Maldini ‘falënderon’ Xavi-n.
Pas eliminimit befasues në fazën me grupe të Champions League, Barcelona po lëpin plagët, duke kërkuar në merkaton e ardhshme të janarit që të përmirësojë akoma më shumë ekipin.
Njëkohësisht, presidenti Laporta ka ndërmend të largojë edhe ata lojtarë që konsiderohen të tepërt dhe që kanë një rrogë shumë të lartë që rëndon në arkat e klubit.
Portali spanjoll Todofichajes.com ka bërë një listë emrash në të cilën janë edhe senatorët Jordi Alba dhe Gerard Pique. Më pas ka edhe largime të tjera të mundshme, por që do të varen nga ofertat që mund të paraqiten.
Mes këtyre është edhe Raphinha. Për brazilianin ka një interes të madh të Chelsea-t, që ka qenë në gjurmët e lojtarit që nga koha kur ai luante me Leeds-in. Manovra e Blues është një e dhënë e qartë, indirekte por jo dhe aq shumë, edhe për interesat e Milan-it.
I vënë në shënjestër nga kuqezinjtë edhe në merkaton e verës së kaluar, Hakim Ziyech ka mbetur në Londër në kërkim të një vendi në formacionin titullar. Një pritje që ka shkuar kot. Trajneri i ri Graham Potter nuk e preferon marokenin, por Chelsea ka refuzuar gjithmonë ta shesë.
Tani situata mund të ndryshojë. Sulmi ndaj Raphinha-s në janar do të thoshte një gjë: që Ziyech do të konsiderohej i tepërt. Paolo Maldini është gati të vihet në lëvizje për t’i dhuruar Pioli-t një lojtar cilësor për pjesën e dytë të sezonit.