Milan apo Roma? – Morata ka bërë zgjedhjen e tij

Alvaro Morata do të rikthehet në Itali ty ku më parë është aktivizuar me ngjyrat bardhezi të Juventusit.

Tashmë, spanjolli përgatitet për një aventurë të re në Serie A, por jo më në qytetin verior.

Morata pritet të bashkohet me kryeqytetasit e Romës, me verdhekuqtë që janë vënë në kërkim të një sulmuesi duke qenë se Tammy Abraham do të mungojë për një kohë të gjatë dhe Belotti nuk jep më garanci.

Një nga arsyet kryesore pse Morata zgjodhi Romën është trajneri Jose Mourinho me të cilin ka punuar te Reali në vitin 2010, por edhe miku i tij i vjetër, Paulo Dybala.

30-vjeçari ka bashkëpunuar me argjentinasin te Juventusi dhe është i “joshur” nga ideja për të formuar sërish një dyshe me “La Joya” këtë herë me fanellën e Romës.

Një tjetër arsye që shtyu Moratën drejt Italisë është edhe bashkëshortja e tij, Alice më të cilën është njohur pikërisht kur aktivizohej me Juventus.

Alice dhe Morata nuk janë gati të ndryshojnë stilin e jetesës dhe të transferohen në Arabi (edhe aty ka kërkesa për Moratën), ndaj Italia është destinacioni i duhur për çiftin dhe fëmijët e tyre.

Tashmë, hapi i radhës për të kryer plotësisht transferimin është akordi mes Romës dhe Atletico Madrid që zotëron kartonin e Moratës.

Italianët kërkojnë një transferim nëpërmjet formulës së huazimit me detyrim blerje për 12 milionë euro ndërsa vetë lojtarit i ofrojnë një kontratë katërvjeçare me 4.5 milionë euro rrogë.

Në ditët në vazhdim priten të reja dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë Morata mund t’i bashkohet Romës në përgatitjet parasezonale në Portugali.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here