131 milionë euro, Milan ka gati goditjen më të shtrenjtë në historinë e klubit

Një goditje rekord. Kjo është ajo që Milani synon të bëjë këtë verë për sulmin e ekipit.

Nuk ka dyshime për prioritetin e kuqezinjve për merkaton e ardhshme: duhet (të paktën) një sulmues që të bëjë të harrohet Giroud, i destinuar të largohet nga San Siro dhe Italia në fund të kontratës së tij më 30 qershor 2024.

Me largimin e francezit, një pjesë e madhe e buxhetit të klubit kuqezi në merkato do të shpenzohet për blerjen e një qendërsulmuesi shumë cilësor. Një goditje me vlerë të paktën pesëdhjetë milionë euro, i destinuar të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e Milanit.

Për më tepër, klubi po përgatitet të mbledhë një shumë të rëndësishme e cila do të investohet në forcimin e ekipit.

130 milionë euro, kjo është shuma që mund të kishin në dispozicion drejtuesit kuqezinj nëse do të verifikoheshin një sërë kushtesh.

E para, më e afërta, ka të bëjë me kualifikimin në edicionin e ardhshëm të pasur të Champions League: pesëdhjetë milionë euro të cilat Milani tashmë i ndjen të sigurta duke pasur parasysh diferencën nga vendi i pestë në renditje.

Më pas është kapitulli i Europa League që duhet marrë në konsideratë: fitimi i kompeticionit do të thoshte një arkëtimi i rreth 40 milionë eurove, dhe pjesëmarrjen në Superkupën e Europës që sjell 3.5 milionë euro si shpërblime.

Pastaj është kapitulli i shitjeve: Milani, duke përjashtuar ofertat marramendëse, dëshiron të shmangë largimin e yjeve, por mund të marrë një thesar të vogël nga lojtarët në huazim.

Për De Ketelaere, për shembull, blerja përfundimtare nga Atalanta do të sillte njëzet e gjashtë milionë në arkat e klubit. Dhjetë të tjera do të vinin nga Saelemaekers në rast të blerjes së përhershme nga Bologna. Bashkë me Daniel Maldini-n, të cilin Monza dëshiron ta blejë për 5 milionë euro: gjithsej 131 milionë euro.

Një shumë që siç u përmend, Milani synon ta përdorë në merkato dhe ta shpenzojë në masë të madhe për sulmuesin e së ardhmes.

Emrat janë të zakonshmit, duke filluar nga Zirkzee, të cilin Bologna është gati ta shesë përballë një oferte jo larg pesëdhjetë milionë eurove.

Më pas është Gyokeres, i lidhur me Sportingun me një kontratë që përfshin një klauzolë 100 milionë: një shifër e paarritshme, por për gjysmën Milani do të ishte gati të vihej në lëvizje.

Pak më lirë mund të jetë Sesko, i cili po paraqitet mirë me fanellën e Leipzig-ut, ndërsa vlerësimi i Santiago Gimenez, protagonist me fanellën e Feyenoord dhe i synuar edhe nga Napoli, është tashmë në 50 milionë.

Mes këtyre sulmuesve, duke përjashtuar surprizat, do të mbërrijë numri i ri 9 i Milanit: kushdo qoftë ai do të mbajë me vete barrën e të qenit blerja më e shtrenjtë ndonjëherë e klubit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here