Manuel Locatelli është njëri nga lojtarët më të përfolur në Itali, saherë që hapet merkato.
Që nga transferimi te Sassuolo Locatelli është njëri nga mesfushorët më të mirë në Itali dhe interesim për të kanë shfaqur gjigantët italian.
Agjenti i Locatellit, Stefan Castelnuovo, ka ndezur edhe më tepër zërat për të ardhmen e Locatellit, duke deklaruar për Tuttosport se 23-vjeçari mund të transferohet te Juventusi brenda këtij muaji.
“Rikthimi te Milani? Locatelli është mirënjohës për atë që Milani ka bërë për të, mirëpo ai preferon një eksperiencë të re. Manueli është simpatizues i madh i Pirlos. Juventus tentoi transferimin e tij verën e kaluar dhe ndoshta marrëveshja mund të arrihet brenda këtij muaji”, ka deklaruar Castelnuovo.
Locatelli këtë sezon ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar dy gola, ndërsa Juventus do të duhet të paguaj më së paku 30 milionë euro për kartonin e tij.