Arsenali ka arritur fitore të rëndësishme përballë Leeds United (4-2), në ndeshjen e xhiros së 24 në Ligën Premier që u zhvillua në Emirates Stadium.
Topçinjtë shënuan tre gola në gjysmën e parë të ndeshjes, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 13-të me golin e Pierre-Emerick Aubameyang, i cili u asistua nga mesfushori shqiptar, Granit Xhaka.
Aubameyang shënoi golin e dytë në ndeshje dhe të dytin personal në minutën e 41-të nga pika e bardhë.
Për rezultatin përfundimtar të gjysmës së parë u kujdes Hector Bellerin, i cili pranoi një top nga Daniel Ceballos, krijoi hapësirë dhe shënoi (45’).
Vendasin shënuan një tjetër gol në fraksionin e dytë (47’) dhe realizues ishte sërish Pierre-Emerick Aubameyang, i cili kompletoi het-trikun.
Në vazhdim, Leeds shënuan dy gola përmes Pascal Struijk (58’) dhe Helder Costa (69’) që nuk mjaftuan për t’i ndryshuar gjërat.
Me këtë fitore, Arsenali e ka kaluar Leeds Unitedin në renditje dhe tash ndodhet në pozitën e dhjetë, ndërsa vendi katërt është gjashtë pikë larg.