E pabesueshme: Barcelona kishte marrëveshje me Mbappe, por pastaj zgjodhi Dembelen

Ai që shkëlqeu mbrëmë në “Camp Nou” me fanellën e PSG-së, mund ta kishte bërë këtë edhe me uniformën e Barcelonës. Kjo për shkak se Kylian Mbappé ishte një hap larg nga nënshkrimi për Barçën më 2017, por klubi katalanas refuzoi në fund, duke vendosur të merrte Dembélé. Këtë prapaskenë e zbulon Junior Minguella në “El Partidazo de COPE” dhe “Radio MARCA”:

“Po, kështu ishte, unë mund ta konfirmoj me siguri të plotë. Në fakt, tani më shumë se kurrë, sepse disa menaxherë ma kanë konfirmuar versionin e historisë, është plotësisht e vërtetë. Ishte një situatë në të cilën e dinim se Neymar kishte një marrëveshje me PSG dhe po shkonte atje. Drejtuesit e klubit katalanas ose nuk e dinin këtë, ose nuk e besonin. Në fakt, Neymar ende nuk e kishte konfirmuar se po largohej dhe klubi tha se nuk donte të hidhte asnjë hap para se të largohej Neymar”.

Braziliani më në fund u largua për te PSG dhe Barcelona duhej të gjente një lojtar për ta zëvendësuar atë. Emri i Mbappé ishte në tryezë. “Në momentin kur u konfirmua se Neymar po largohej, teknikët dhe presidenti, i cili nuk dëshiron t’i tejkalojë ata (teknikët), kishin dyshime në lidhje me lojtarin që duhej ngazhuar. Në fund, ata besuan se më i mirë për lojën e ekipit ishte Dembélé sesa Mbappé. Disa madje shkuan aq larg sa të thoshin se ky Mbappé ishte një fantazmë”, – shton Junior Minguella.

Barcelona ishte dakord plotësisht për anën financiare të operacionit. Klubi thjesht duhej të ndizte dritën jeshile dhe të nënshkruante kontratën me Mbappé. “Marrëveshja ishte thuajse e mbyllur për 130 milionë, plus 25 të tjera bonuse. Mbappé do të fitonte midis 10 dhe 16 milionë euro në sezon, neto”, – vazhdon më tej Junior.

Kylian, i cili ishte 18 vjeç në atë kohë, përfundoi duke nënshkruar me PSG, një ekip me të cilin shënoi “hat-trick” në “Camp Nou”, të martën, në Champions. Junior Mingella më vonë ndau këtë imazh në Twitter, për t’iu dhënë vërtetësi fjalëve të tij. “Një dhuratë për urrejtësit dhe jobesimtarët. Kur do ta kuptojmë që armiku i tifozëve të Barcelonës nuk është në shtëpi”, – shkroi ai në rrjetin social.

Edhe ish-drejtori sportiv i Barcelonës, Javier Bordas, për “Mundo Deportivo” e ka konfirmuar këtë version: “Kishim mundësi të blinim Mbappe për 100 milionë euro, kur po ndiqnim Dembele. Shpjegimi në atë kohë ishte se Mbappe luan për vete, ndërsa Dembele luan për ekipin”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here