Milan-Inter, derbi në merkato: Marotta përgatit “vjedhjen” e radhës

Merkato e verës së ardhshme do të jetë shumë e nxehtë, me Milan-in dhe Inter-in protagoniste për shkak të parave që do të vijnë nga Champions League.

Për zikaltrit, kualifikimi tashmë është zyrtar, për kuqezinjtë mungon shumë pak.

Beppe Marotta, siç ka bërë shpesh prej disa vitesh, është vën në lëvizje shumë më herët, duke siguruar dy lojtarë si Zielinski dhe Taremi, natyrisht me kosto zero.

Megjithatë, Inter-i nuk ka ndërmend të ndalet sepse synon të ketë një skuadër shumë të fortë për të qëndruar në majat e futbollit europian.

Për këtë arsye janë të shumtë emrat në listën e zikaltërve dhe në këto orë po merr gjithnjë dhe më shumë formë ideja Alessandro Buongiorno.

Mbrojtësi i Torino-s është emri i duhur për të marrë vendin e Francesco Acerbi, por ai është prej kohësh edhe një objektiv i Milan-it, që janarin e kaluar ka provuar ta marrë. Kërkesa prej 50 milionë eurosh e ka bërë të pamundur operacionin.

Në verë do të ketë më shumë kohë për të negociuar, por vetëm me përfshirjen e disa kundër-ofertave teknike do të mund të arrihet një marrëveshje.

Lorenzo Colombo dhe Jan-Carlo Simic janë dy lojtarë të Milan-it që pëlqehen nga Torino. Nuk mungojnë emrat e duhur as në shtëpinë zikaltër: nga Valentin Carboni te Arnautovic.

Pikërisht largimi i mundshëm i sulmuesit austriak, përveç atij të Alexis Sanchez, po çon Inter-in të vlerësojë marrjen e një qendërsulmuesi tjetër.

Gjithashtu, në merkaton e sotme nuk mund të jepet për i sigurt as qëndrimi i Lautaro Martinez, i cili nuk ka rinovuar akoma, pavarësisht optimizmit të Marotta-s. Ja përse po ndiqen emra të rëndësishëm për repartin sulmues.

Për këtë arsye duhet bërë kujdes ndaj Jonathan David, që mund të jetë një rast i madh në merkato, duke parë kontratën që i skadon në 2025-ën. Një sulmues prej kohësh në shënjestër të Milan-it, por që nuk e konsideron një zgjedhje të parë.

Në krye të listës së dëshirave është Joshua Zirkzee, që u pëlqen zikaltërve, por një tentativë do të bëhej vetëm në rast të një shitje të madhe.

Edhe Sesko me Gimenez janë dy lojtarë që u interesojnë të dy skuadrave të Milanos, por për momentin nuk ka asgjë konkrete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here